Protestat e ditëve të fundit që po zhvillohen në Tiranë, të shoqëruara me përplasje dhe akte dhune, kanë sjellë edhe reagimin e përfaqësive diplomatike të ShBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë përcjellë mesazhe për sigurinë, respektimin e ligjit dhe të drejtën për protestë paqësore.
Fillimisht Ambasada Amerikane paralajmëroi qytetarët e saj për përshkallëzimin e situatës duke u kërkuar të shmangnin grumbullimet dhe të ndjeknin udhëzimet e autoriteteve.
Nga ana tjetër, Ambasada Britanike theksoi se e drejta për protestë dhe liria e shprehjes nuk mund të përdoren për të justifikuar dhunën apo dëmtimin e pronës publike. Ajo nënvizoi gjithashtu se ndërhyrja e policisë duhet të jetë proporcionale.
Ndërsa Ambasada Gjermane shpërndau qëndrimin e Delegacionit të Bashkimit Europian, i cili dënoi përshkallëzimin e dhunshëm dhe kërkoi hetimin me përparësi të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia. BE-ja u bëri thirrje të gjithë palëve të ulin tensionet dhe të respektojnë të drejtat themelore.
Pra, siç shihet në qëndrimet e tyre, përfaqësitë diplomatike përcjellin një mesazh të përbashkët: protesta paqësore është e drejtë, por dhuna dhe dëmtimi i institucioneve nuk justifikohen.












