SPAK ka përfunduar hetimet për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa çështja tashmë do të kalojë për shqyrtim në gjykatë.
Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar kërkesën për gjykim, duke shënuar kështu përfundimin e fazës së hetimit dhe kalimin në një tjetër etapë të procesit penal.
Lajmi është bërë i ditur nga kreu i SPAK, Klodjan Braho, i cili në një komunikim për mediat konfirmoi se hetimet ndaj Ballukut janë mbyllur dhe se dosja do t’i përcillet gjykatës.
“Ju njoftoj për mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun dhe ju bëj me dije se sot çështja do të dërgohet në gjykatë. Vlerësojmë se kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, deklaroi Braho.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme bëri gjithashtu të ditur se për hetimin e kësaj çështjeje është angazhuar një grup i përbërë nga dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për administrimin dhe shqyrtimin e materialeve të dosjes.
Ai shprehu mirënjohjen për punën e prokurorëve të angazhuar në këtë çështje, ndërsa paralajmëroi se fillimisht ata do të paraqesin një përmbledhje të hetimit, duke bërë të ditura elementet kryesore të dosjes penale.
“Lidhur me këtë çështje penale janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje. Përfitoj nga rasti t’i falënderoj të dy prokurorët. Fillimisht, ata do t’ju njohin me një përmbledhje të çështjes”, u shpreh Braho.
Me dorëzimin e kërkesës për gjykim, çështja ndaj ish-zëvendëskryeministres kalon tashmë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, ku do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë kërkesën e prokurorisë dhe vijimin e procedurave.
Ndërkohë, pritet që përmbledhja e prokurorëve të japë më shumë detaje mbi përmbajtjen e hetimeve, provat e administruara dhe elementet mbi të cilat SPAK ka mbështetur kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykatë.












