Një aksident i rëndë, i ndodhur paraditen e djeshme në Xibër, pranë tunelit të Murrizit, ka përfunduar tragjikisht me dy viktima dhe pesë persona të lënduar.
Në mesin e viktimave është edhe doktoresha 42-vjeçare nga Tetova, Maltina Ferati, e cila në momentin e aksidentit ndodhej si pasagjere në njërin prej automjeteve të përfshira në përplasjen fatale. Viktima tjetër është identifikuar si Bledian Osmani, rreth 42 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:15, kur dy automjete janë përplasur në afërsi të tunelit të Murrizit. Përveç dy personave që humbën jetën, pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Vdekja e doktoreshës Maltina Ferati ka shkaktuar dhimbje të madhe edhe në mesin e kolegëve të saj në Tetovë. Spitali Klinik i Tetovës ka publikuar një letër ngushëllimi, duke shprehur pikëllimin për humbjen e parakohshme të koleges së tyre.
Ferati ishte pjesë e rëndësishme e këtij institucioni shëndetësor, ku ushtronte detyrën e kryeshefes së Laboratorisë. Ajo vlerësohej për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjësinë në punë, por edhe për mirësinë, buzëqeshjen dhe gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve.












