Seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me tensione të forta dhe zhurmë, duke e kthyer sallën në një arenë të vërtetë përplasjesh.
Atmosfera e rënduar vjen si pasojë e bllokadës së krijuar nga deputetët e opozitës dhe përjashtimeve të fundit të disa prej tyre nga Komisioni i Etikës. Që në minutat e para të hyrjes së ligjvënësve, salla u përfshi nga kaosi, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punimeve.
Ndërkohë që lexoheshin ndryshimet në delegacionet parlamentare, me emërime të reja si ato të deputeteve Elisa Spiropali dhe Evis Kushi, tensionet vetëm sa u shtuan. Spiropali u caktua anëtare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit.
“Në mbështetje të nenit 14 të rregullores së Kuvendit, deputetja Elisa Spiropali… ju lutem zini vendet… caktohet anëtare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Ndërsa deputetja Evis Kushi caktohet anëtare zëvendësuese në këtë delegacion. Ju lutem zini vendet të vijojmë seancën dhe pastaj merrni fjalën dhe ngrini të gjithë, ngrini të gjithë çështjet tuaja dhe shqetësimet tuaja“, tha Peleshi.












