Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë është ndërprerë brenda pak çastesh, me deputetët që nisën tensionet sapo kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori fjalën.
Demokratët nuk e lejuan dhe Flamur Noka shkoi drejt karriges së Ballës, për t’i hequr dhunshëm mikrofonin. Mes tyre pati shkëmbime, por pa audio, dhe se çfarë i thanë ata njëri-tjetrit nuk u dëgjua.
I pari, fjalën e ka marrë Belind Këlliçi si nënkryetar i Partisë Demokratike dhe është shprehur nga foltorja e Kuvendit se forca politike që ai përfaqëson, është në solidaritet e në mbështetje të plotë me studentët.
Menjëherë pas fjalës së tij, nisën tensionet dhe demokratët kanë përmbysur karriget e tyre. Ata nuk po lejojnë as kolegët socialistë të votojnë rendin e ditës, i cili përfshin disa projektligje të rëndësishme.
Ndërkohë që në sallën e seancave plenare ka tensione dhe votim vetëm nga socialistët, jashtë Kuvendit janë grumbulluar me qindra protestues, të cilët bëjnë thirrje për dorëheqje.












