Komisioni i Venecias i është përgjigjur kërkesës së kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke bërë me dije se më 25 nëntor do të sjellin në Tiranë dy ekspertë për një vizitë pune në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, mbi Ligjin për Financimin e Partive Politike.
Siç kemi raportuar dhe më parë, kryeparlamentari Niko Peleshi, i ka dërguar letër Presidentes së Komisionit të Venecias, Marta Cartabia, duke i kërkuar kësaj të fundit organizimin e një vizite në Shqipëri të raportuesve të këtij institucioni, me qëllim diskutimin e rekomandimeve për projektligjin “Për financimin e partive politike”, në kuadër të reformës zgjedhore.
Përgjatë letrës, Peleshi kërkoi që të organizohet sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht gjatë javës së ardhshme ose asaj pasuese, në varësi të disponueshmërisë së përfaqësuesve të Komisionit të Venecias.
Përgjigja e Venecias nuk ka vonuar, madje është përcaktuar dhe data kur në Tiranë do të mbërrijnë dy raportuesit për projektligjin “Për financimin e partive politike”, në kuadër të reformës zgjedhore, një takim që pritet të mbahet ditën e mërkurë, më 25 nëntor.












