Turizmi ishte tema e video-mesazhit të javës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke sjellë në vëmendje faktin se industria e turizmit në Tiranë sot po kalon ditët më të mira.
Veliaj tha se shifra e mbi 4 milionë turistëve që vizituan vitin e shkuar Kryeqytetin, erdhi falë investimeve të 8 viteve të fundit dhe qasjes për të pasur një qytet të pastër, mikpritës dhe me kushtet e nevojshme të hotelerisë.
“Tirana është kthyer realisht në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik, nga festat e dhjetorit, gjatë verës, e deri në fund të vitit, me Festat e Pavarësisë. Kaloni në Sheshin Skënderbej dhe grupet e turistëve në gjuhë të ndryshme do t’ju vërtetojnë se këto janë ditët më të mira edhe për turizmin në Tiranë. Sot kemi hotelet me emrat më të mëdhenj të botës, që po instalohen ose janë instaluar në Tiranë: Hilton, Hayat, Melia, Marriot, Maritim Plaza, InterContinental, që kanë sjellë punësim për sektorin vendas” tha Veliaj, duke theksuar se ky është një lajm fantastik, jo vetëm për ekonominë e qytetit, por edhe për ekonominë e Shqipërisë.












