Një lajm i trishtë ka ardhur nga Bashkia e Kurbinit, ku mësuesja dhe artistja Leze Rrika është ndarë nga jeta ditën e sotme, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Lajmin e ka dhënë përmes një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiakia e Kurbinit, Mjalinda Cara, e cila shkruan se ikja e mësuese parakohe, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për komunitetin e Kurbinit.
Cara shkruan se Rrika dha një kontribut të çmuar në jetën kulturore e artistike të Kurbinit dhe la gjurmë të pashlyeshme te brezat që edukoi dhe te njerëzit me të cilët ndau pasionin për artin e kulturën. Ndërsa në fund, ajo i ka ofruar familjes, ngushëllimet e saj.
Leze Rrika ishte një arsimtare, koreografe dhe drejtuese shkolle në Kurbin, e njohur për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe historike në fshatin Zhejë. Ajo ka shërbyer si drejtoresha e shkollës 9-vjeçare të Zhejës dhe është angazhuar në jetën publike dhe ruajtjen e traditave vendase.











