Avokati Spartak Ngjela tha se Ilir Meta është arrestuar pas hetimeve të SPAK, institucion i krijuar nga ndërkombëtarët. Ngjela tha se prej dy vitesh ka filluar “lufta” kundër korrupsionit, e cila sipas tij do të vijojë.
“I ka arrestuar pushteti gjyqësor, nuk i ka arrestuar politika. Pushteti gjyqësor dhe hetimi është shkencë dhe është sekret. Ne nuk dimë gjë fare se cilat janë provat. I ka arrestuar, tani të presim kur të dalin gjërat në Gjykatë”,-tha Ngjela në ‘Euronews Albania’.
I pyetur nëse gjithë këto ngjarje mund të sjellin në të ardhmen edhe shpërbërjen e SPAK, Ngjela tha: “Është pamundësi absolute. Pse do shpërbehet ai ka dalë me koncept kushtetues. Ai ka dalë në parlament me 140 vota. Kush do e shkarkojë? Parlamenti? Ajo që do bëjë SPAK, do e shikoni, është shpëtimi iu Shqipërisë nga gjithë të korruptuarit e mëdhenj të politikës shqiptare. Këtë do e shikoni hap pas hapi”.












