Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se në mbledhjen e qeverisë janë miratuar katër akte që lidhen me këtë dikaster, ku dy prej tyre kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Forcat e Armatosura dhe angazhimin e tyre në misione ushtarake ndërkombëtare.
Ai theksoi se pjesëmarrja e trupave shqiptare në këto misione dëshmon jo vetëm nivelin e përgatitjes së efektivëve, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë civil, por edhe rolin aktiv të Shqipërisë në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare.
I pyetur në lidhje me konfliktin SHBA–Iran dhe nëse Shqipëria do të ishte e gatshme të lejonte përdorimin e bazës së Kuçovës nga SHBA, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, u shpreh se një vendim i tillë mbetet për t’u vlerësuar në varësi të zhvillimeve.
Ai theksoi se Shqipëria gëzon një marrëdhënie strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shtoi se mbetet për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të paraqitet nga pala amerikane.
Ermal Nufi: “Mbetet për tu vlerësuar nëse një kërkesë e tillë do të vijë. Shqipëria ka një marrëdhënie strategjike me SHBA-në. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të vijë zyrtarisht nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe e gjithë vendimarrja që lidhet me këtë pyetje lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”.












