Koncesioni i “markimit” me kosto për qytetarët “1 lek në çdo një litër karburant” nuk do të rinovohet më me kompaninë private por do t’i kalojë shtetit.
Shërbimi “marketim”, qëllim i së cilit ishte garantimi i cilësisë së karburanteve dhe parandalim i kontrabandës, nga sot do të menaxhohet nga vetë shteti. Me urdhër të ministrit të Financave është ngritur grupi i punës për të kaluar të gjitha asetet nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Ky koncesion do të merrte në konsideratë kontrollin e cilësisë se karburanteve në vend. Kjo sepse bëhej fjalë që produktet e importit përziheshin me ato të vendit dhe cilësia ulej.
“Markimi” i cili konsiston në hedhjen e një pigmenti identifikues te karburantit i importuar para se ai të shitej në treg, me synimin e identifikimit se sa prej naftës së tregtuar ishte e përzierë me karburant të pa-zhdoganuar u dha si koncesion në kohën që vendi qeverisej nga Partia Demokratike. Konçensioni i privatit hyri në fuqi në korrik të 2013-ës dhe afati 10-vjecar i mbaroi vjet në gusht, por qeveria vendosi ta shtynte me 1 vit.
Por a do të ulet çmimi i karburanteve në Shqipëri pas kalimit të shërbimit të markimit nga privati te shteti?
“Nuk gjykoj që çmimi i karburanteve do të mbetet në këto nivele që është. Çështja e tarifave besoj se është një çështje që do të vendoset nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave”, tha gazetari i ekonomise.
Markimi është shërbimi i tretë, pas Kontrollit Teknik të Automjeteve dhe pullave fiskale që kalon nga koncesionari te shteti.












