Prania e një objekti të dyshimtë në murin rrethues të Ambasadës Amerikane në Tiranë ka ngritur në këmbë shërbimet e Policisë së Tiranës dhe njësitë e tjera të reagimit të shpejtë, të cilat kanë izoluar zonën.
Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit dhe gjithë zona janë bllokuar nga forcat e Policisë së Shtetit, për arsye sigurie, deri në mbërritjen e njësive policore antieksploziv të Repartit RENEA.
Në këtë moment po bëhet kontrolli me qen antieksploziv për të përcaktuar nivelin e rrezikut, ndaj për arsye sigurie, zona është izoluar dhe qytetarëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet pranë Rrugës së Elbasanit.
Burime nga vendi i ngjarjes kanë treguar se objekti i dyshimtë që është konstatuar i braktisur në rrethimin e jashtëm të selisë diplomatike të Rrugës së Elbasanit, ka qenë një kovë.

Nga kqyrja që efektivët e xhenios i kanë bërë, ka rezultuar se brenda saj ka pasur vetëm fasule dhe asnjë të dyshimtë. shërbimi i sigurisë i Ambasadës Amerikane dhe Policia e Shtetit po bëjnë verifikime për të parë se kush është personi që e ka lënë kovën në zonë.
Pranë Rrugës së Elbasanit dhe Ambasadës Amerikane ka mjaft tregtarë ambulantë dhe nuk përjashtohet mundësia që dikush prej tyre ta ketë harruar.












