Është duke u zhvilluar me dyer të mbyllura seanca në GJKKO ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, pavarësisht kërkesës së kryebashkiakut për ta transmetuar atë “live”.
Ndërkohë janë zbardhur disa nga diskutimet dhe debatet e zhvilluara aty, teksa mësohet se Altin Dumani, ish-kryeprokuror, ka arsyetuar se kjo kërkesë e Veliajt nuk është pranuar pasi nuk duhet të ekspozohen dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët.
“Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.
Ndërkohë që ka pasur edhe debate mes prokurorit Ols Dado dhe avokatit Plarent Ndreca, teksa më pas ka ndërhyrë edhe Altin Dumani.
Ols Dado: “Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se ka kërkuar fjalën prokurori.”
Altin Dumani: “Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.”












