Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato do ta përfundojë zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Shqipëri në fund të muajit gusht.
Me këtë rast, ai u nderua nga Bajram Begaj, me propozim të kryeministrit Edi Rama, me dekoratën “Ylli i Madh i Medaljes ‘Benemerenti’”, në vlerësim të kontributit të tij gjatë tre viteve të shërbimit në vend.
Ceremonia u zhvillua më herët gjatë muajit korrik, për shkak se pjesa më e madhe e stafit të Delegacionit të Bashkimit Evropian nuk ndodhet në Shqipëri gjatë muajit gusht. Në mesazhin e tij të lamtumirës, Gonzato u shpreh se Shqipëria do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij. Ai theksoi se Bashkimi Evropian përfaqëson më shumë se një bashkim ekonomik, duke e cilësuar atë një komunitet të ndërtuar mbi vlera si liria, barazia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
Gonzato falënderoi qytetarët shqiptarë për mikpritjen dhe vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se BE-ja ka mbështetur vazhdimisht reformat dhe ndërtimin e institucioneve të forta, ndërsa e mbylli mesazhin me fjalët:
“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri.
Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi. Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur.
Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’. Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE❤️,” Silvio Gonzato, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri.












