Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar për arrestimin e kandidatit të koalicionit “Berisha-Meta” për Bashkinë e Himarës, Alfred Beleri.
Xhaçka u ka bërë thirrje autoriteteve greke që të bëjnë durim, pasi shit-blerja e votës në Shqipëri është një shkelje e rëndë penale.
“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek. Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat. U kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj”, shkruan Xhaçka.












