Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur një aksion kombëtar për të identifikuar dhe ndëshkuar lavazhet që furnizohen me ujë përmes lidhjeve të paligjshme në rrjetin publik.
Kontrollet vijnë pas përfundimit të afatit të vetërregullimit, i cili ishte caktuar deri më 31 tetor, ndërsa verifikimet do të kryhen në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave të AKUK-së, nga evidentimi në rang kombëtar janë identifikuar 1.206 lavazhe aktive. Prej tyre, 460 e kanë larjen e automjeteve aktivitetin kryesor, ndërsa 746 të tjera e ofrojnë këtë shërbim si aktivitet dytësor.

Institucioni paralajmëron se ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit ndikojnë drejtpërdrejt te furnizimi i qytetarëve, duke ulur sasinë dhe presionin e ujit. Përveç mungesës së ujit, këto lidhje përbëjnë edhe rrezik për ndotjen e sistemit dhe cenimin e cilësisë së ujit të pijshëm. Drejtori i Përgjithshëm i AKUK-së, Fludian Çuka, u ka bërë thirrje bizneseve dhe individëve që të shmangin lidhjet e paligjshme dhe të respektojnë rregullat për përdorimin e rrjetit publik.
Kontrollet do të zhvillohen në mënyrë sistematike nga të gjitha shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve. AKUK thekson se synimi është fillimisht ndërgjegjësimi dhe respektimi i ligjit, por paralajmëron se subjektet që nuk ndërhyjnë për të rregulluar situatën do të përballen me masat përkatëse ligjore. Aksioni synon të mbrojë rrjetin publik dhe të garantojë furnizimin me ujë për banorët, duke frenuar përdorimin e paligjshëm të një burimi që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve.












