Kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e aksit të ri rrugor Janinë–Kakavijë, një projekt me rëndësi ndërkufitare që synon rritjen e sigurisë rrugore, uljen e ndjeshme të kohës së udhëtimit dhe forcimin e lidhjes mes Greqisë, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në terren kanë filluar punimet përgatitore, të cilat përfshijnë pastrimin e zonës nga bimësia, punime tokësore dhe nivelimin e terrenit me mjete të rënda. Këto ndërhyrje shënojnë nisjen reale të ndërtimit të rrugës së re.
Kontrata për realizimin e projektit, me vlerë 310 milionë euro (me TVSH), është firmosur në dhjetor të vitit 2024. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Infrastrukturës në Greqi, Dimitris Anagnopulos, aksi pritet të përfundojë brenda 4 viteve.
● Karakteristikat e projektit
Aksi rrugor Janinë–Kakavijë do të ketë një gjatësi totale prej 70 kilometrash dhe do të jetë vazhdim i Autostradës Joniane, duke lidhur Janinën me pikën kufitare të Kakavijës. Ai konsiderohet boshti më perëndimor vertikal i Autostradës Egnatia dhe është pjesë e rrjetit kryesor evropian të transportit (TEN-T).
● Projekti ndahet në dy segmente
Janinë – Kalpak: 46.4 km me trase të re dhe 6 nyje pa kryqëzim në nivel (Kosmirë, Asvestohori, Grammenohoria, Pasanë, Zicë dhe Kari).
Kalpak – Kakavijë: 23.1 km, që përfshin modernizimin e rrugës ekzistuese deri në pikën kufitare.
Rruga është projektuar për shpejtësi 100 km/orë, me dy korsi për çdo drejtim dhe korsi emergjence, ndërsa gjerësia totale e autostradës arrin 22.25 metra, e pajisur me barriera sigurie dhe ndarje qendrore.
● Përfitimet
Me përfundimin e këtij aksi, udhëtimi nga Athina deri në kufirin me Shqipërinë do të zgjasë rreth 4 orë e 30 minuta, duke sjellë kursim të madh kohe dhe rritje të sigurisë. Aktualisht nga kufiri deri në Athinë duhen të paktën 6 orë dhe kjo kohëzgjatje shkon deri në 8 ose 9 orë.
Rruga do të lidhë drejtpërdrejt Autostradën Joniane me Egnatian, do të lehtësojë trafikun rreth Janinës, duke forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen ndërkufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë.












