Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka zbuluar strategjinë që opozita do të ndjekë pas humbjes së zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e Himarës.
Sipas tij, aksioni do të ndërtohet mbi kërkesën për qeveri teknike pasi zgjedhjet e 2025 nuk mund të zhvillohen me Edi Ramën kryeministër.
Baçi nënvizoi se informacioni i kufizuar për shkak të “arrestit në shtëpi”, e pengon Sali Berishën që të drejtojë partinë nga shtëpia.
“Ne muajin shtator PD do të mbledhë strukturat e saj, do të analizojë gjendjen e brendshme të PD në të gjitha seksionet, grupseksionet dhe deri te kryetarët e degëve dhe Kryesia. Ne do të kemi planin tonë për tu përballur me këtë regjim. Përveç qeverisë teknike, kushti tjetër dhe aksioni tjetër i opozitës, qëllimi ynë kryesor duhet të jetë lirimi i kryetarit të PD dhe dalja e tij në terren. Të gjitha këto boshllëqe që janë krijuar, është paaftësi e drejtuesve të PD në mungesë të kryetarit. Berisha nuk ka mundësi fizike duke qenë i izoluar në banesën e vetë. Kontakti i tij është vetëm nëpërmjet bisedave, mediave dhe takimeve të përnatshme aty. Por edhe sikur ta ketë këtë mundësi 100% kontakti fizik dhe dalja në terren e kryetarit të PD nuk mund të barazohet me daljen në terren të dy, tre pesë, apo dhjetë drejtuesve të PD poshtë nivelit të kryetarit”, tha Baçi.