Ish-ministri i LSI-së, Ylli Manjani tha se veprimi i presidentit Bajram Begaj, i cili “u ankua për zyrën” përballë presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, ishte një veprim i papranueshëm për kreun e një shteti.
Me tone të ashpra Manjani tha se nêse Begaj e shikon të pamjaftueshme zyrën e Presidencës, atëherë le të ikë nga ajo zyrë e nga ai post.
“Unë nuk kam gjë me presidentin Erdogan ai është i mirë apo i keq për vendin e tij. Janë turqit ata që e vlerësojnë se si është presidenti i tyre. Por për turp e faqe të zezë ne kemi një president, që është kryetari i shtetit tim dhe më dhemb shumë e më dhemb jashtë mase kur e dëgjoj që flet e thotë që s’i del zyra. Të qërohet nga ajo zyrë ta lërë që sot. Një burrë shteti që ti ngjisë fjala, nëse nuk i pëlqen ajo zyrë që për më tepër ia kanë bërë italianët, të dalë nga ajo zyrë sonte. Se nuk mund të jetë kryetari i shtetit tim ai”,-tha Manjani.