Partia Socialiste nuk duket e shqetësuar nga protesta dhe takimet e pritshme të opozitës në Parlamentin Europian.
Grupi parlamentar i PD-së do të jetë në javën e ardhshme në Strasburg për të ngritur shqetësimin e ‘manipulimit të zgjedhjeve’ dhe për t’i bërë jehonë kërkesës për qeveri teknike. Por Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi rrëzoi çdo mundësi që në Shqipëri të ketë një qeveri teknike përpara zgjedhjeve.
“Zero shanse për qeveri teknike. Nuk është çështja thjesht të shkojnë në Strasburg, por u duhet konsensusi i shumicës. Shumica parlamentare europiane foli përmes hapjes së procesit të negociatave të BE me Shqipërinë. Por protesta, takimet, kërkesat që do të bëjnë nuk kanë asnjë efekt për rrugën që Shqipëria ka zgjedhur drejt Bashkimit Europian”, tha Blendi Klosi.