Pas deklaratës së bërë nga Endrit Brahimllari, i cili dëshiron t’i bashkohet Edi Ramës, ka ardhur edhe reagimi i Partisë së Lirisë teksa e kanë cilësuar ish-anëtarin e tyre si një “ordiner” dhe një “sufllaqexhi” që betohej ditë e natë për besnikëri ndaj Ilir Metës.
Partia e Lirisë shkruan se Brahimllari është një person “i pamoralshëm”, i korruptuar dhe i kapur nga SPAK, si dhe tashmë është kthyer dhe në lëpriës i “Rilindjes”.
PL i ka bërë thirrje Brahimllarit për t’u paraqitur në mënyrë urgjente pranë zyrës së fiancave të partisë për të shlyer borxhet ekonomike që ka ndaj partisë si dhe të dorëzojë mandatin e anëtarit të PL në Këshillin Bashkiak.
“Për herë të dhjetë në pak ditë, bashkëpunëtori i regjimit dhe i SPAK-u nga 21 nëntori 2023, Endrit Brahimllari, ka shpallur largimin nga Partia e Lirisë. E vërteta është se ky “sufllaqexhi” ordiner, që gdhihej dhe ngrysej duke “u përbetuar” për besnikëri të përjetshme ndaj Ilir Metës, prej 1 viti e gjysëm nuk është më pjesë e asnjë strukture tone politike dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
I kapur peng për shkak të firmave dhe veprimeve të papërgjegjshme, të parregullta dhe të pamoralshme, dhe tanimë i korruptuar deri në fyt, ky “sufllaqexhi” ordiner nga “zëri i qytetarëve” është kthyer në “një kërmill lëpirës”, në pritje për t’u kthyer në një përfitues të rëndomtë të zhvatjes së taksave të qytetarëve, a thua se “Rilindjes” nuk i mjaftojnë “sufllaqexhinjtë” e saj“, shkruan nder të tjera Partia e Lirisë.