Euro po zhvlerësohet me ritme të shpejta, duke kaluar në një nivel të ri, dhe këtë fillim jave po këmbehet për 98.5 lekë.
Monedha Europiane ka humbur afro 6 pikë nga fillimi i vitit, dhe pritshmëritë për rikuperim pas mbylljes së sezonit turistik masiv të muajit gusht, janë zbehur edhe këtë periudhë.
Në pozitat e euros kanë ecur edhe monedhat e tjera, ku në treg dollari këmbehet për 91.1 lekë dhe paundi britanik 118.1 leke.
Por, kjo ecuri godet grupe të ndryshme në vend, kryesisht biznesin e eksporteve dhe njerëzit që marrin rroga ose kanë mbajtur kursime në valutë. Gjatë këtij muaji Banka Qendrore ka ndërhyrë në treg, duke blerë euro nga bankat tregtare, por efekti për të ruajtur kursin e qëndrueshëm nuk është shfaqur.