Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një dëgjese publike të mbajtur këtë të enjte për draftin e ri të Kodit Penal, deklaroi se ky dokument është një nismë e porositur nga vetë Ministria.
Kjo sipas Manjës ka ndodhur si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Në tryezë ishte i pranishëm edhe kryesuesi i grupit të punës, Arben Rakipi, si dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës. Manja theksoi se puna për Kodin e Ri Penal ka ndjekur një proces të mirëmenduar dhe me rëndësi të veçantë.
“Që në krye të herës më duhet të them se roli i Ministrisë së Drejtësisë është ai i porositësit të draftit të Kodit të Ri Penal. Jemi ne Ministria që e kemi porositur këtë draft si përmbushje e detyrimeve tona, por edhe në procesin e negociatave me BE. Në procesin e draftimit të Kodit të Ri Penal ka dy rrugë, ose nëpërmjet Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë ose grupin e punës me ekspertë. Zgjodhëm të dytën sepse kjo ka një rëndësi të veçantë. Jam duke shpjeguar procesin. Menjëherë pas Reformës në Drejtësi është miratuar strategjia sektoriale e drejtësisë, ku thuhet se Shqipëria merr përsipër përmirësimin e legjislacionit penal në bazë të BE-së. Në shkurt të 2019 janë kryer vlerësimet e para për hartimin e Kodit të Ri Penal. Pjesa e përgjithshme e Kodit të Ri penal është bërë në 2020 dhe i janë bashkëngjitur herë pas here ekspertë të fushë.,” – tha Manja.












