Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë mbërthyer zonat malore të qarkut Shkodër.
Në akset rrugore që lidhin Tamarën me Vermoshin dhe Bogën me Thethin, trashësia e dëborës arrin deri në 40 cm.
Në terren, firmat kontraktore po kryejnë pastrimin e rrugëve, duke kryer paralelisht kriposjen, pasi temperaturat e ulëta kanë krijuar prezencë akulli në këto segmente. Autoriteti Rrugor bën me dije se nuk ka asnjë aks të bllokuar, por u kërkohet drejtuesve të automjeteve të lëvizin me goma dimërore, zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Reshje dëbore ka pasur edhe në segmentin rrugor Qafë Mali–Fierzë, por pa shkaktuar probleme për qarkullimin.
Pjesa tjetër e territorit të vendit është përfshirë nga reshje shiu. Momentalisht nuk paraqiten probleme në rrjetin e kullimit, digën e Shtodrit dhe argjinaturat.












