Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, me të cilin ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vite burgim, mbështetja për ta është shprehur edhe jashtë Kosovës.
Mbrëmjen e kaluar, shqiptarë të diasporës u mblodhën në Times Square, në zemër të Nju Jorkut, në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit dhe theksuan rëndësinë që, sipas tyre, ka ruajtja e kujtesës për luftën e Kosovës dhe sakrificën e popullit.
Pamje nga tubimi në Nju Jork ka publikuar në rrjetet sociale edhe prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari.
Në reagimin e tij, Hajdari tha se diaspora shqiptare u mblodh në Times Square për të shprehur mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së, duke e cilësuar aktgjykimin ndaj tyre si të padrejtë.
“Dje në Manhattan, në Times Square! TË GJITHË BASHKË, PËR NJË QËLLIM — LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!
Mbrëmë, diaspora shqiptare u mblodh si një trup i vetëm, me një zë dhe me një qëllim: të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë, ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ne besojmë se janë dënuar padrejtësisht.
Pavarësisht se nga cila trevë shqiptare vijmë, sot na bashkon Kosova, na bashkon historia jonë dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.
Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës.
Së bashku kemi qenë në ditët më të vështira dhe së bashku do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe sot — si vëllezër e motra, si një diasporë dhe si një komb.
LIRI • DREJTËSI • DINJITET
Së bashku për vëllezërit tanë. Së bashku për çlirimtarët”, shkroi Hajdari në Facebook.












