Meteorologia Tanja Porja ka zbuluar se nga dita e nesërme pritet të shtohen vranësirat në të gjithë territorin.
Sipas meteorologes, duke nisur nga e marta dhe e mërkura e javës së ardhshme do të nisin reshjet e para të shiut, kryesisht në zonat veriore dhe veri-perëndimore.
Ajo shtoi se dita e martë do të sjellë një rënie me 1-2 gradë të temperaturave, teksa shtoi se reshjet e shiut do te jenë me intensitet të ulët gjatë të martës dhe të mërkurës.
“Nga nesër dhe në vijim, temperaturat mbeten të larta, të paktën deri ditën e martë. Ndërsa shtohen vranësirat gjatë ditës së shtunë. E diela do të ketë vranësira të lehta e kalimtare, ndërsa nesër janë shumë më të dukshme në territor. Sikundër dita e hënë dhe në vijim, e gjithë pjesa e parë e javës tjetër e cila sjell fuqizim të vranësirave në territorin shqiptar. E marta rreth paradites sjell një sistem të fuqishëm me vranësira. Priten rrebeshe afatshkurtra fillimisht në veri-perëndim dhe veri dhe më pas edhe në zonat qendrore. Në jug të territorit priten pak reshje gjatë ditës së martë. Ndërsa dita e mërkurë sjell reshje në të gjithë territorin shqiptar. Reshjet do të jenë të lehta dhe afatshkurtra, por do të prekin gjithë Shqipërinë”, tha meteorologia Porja.