Gjykata e Posaçme do të bëjë një përpjekje të fundit diten e hënë për të njoftuar Sali Berishën dhe avokatët e tij mbi vendimet e shpallura ndaj tij prej datës 20 tetor kur u shpall verdikti i parë i masës “Detyrim Paraqitje”.
Cilido qoftë rezultati që mund të jetë marrje dijeni për vendimin apo refuzim, lëvizja e fundit e gjykatës që do të kryhet përmes ftuesve pritet të pasohet me dërgimin e ankimimeve të pjesshme në Gjykatën e Apelit.
Por ndërkohë nga depozitimi i ankimimit të pjesshëm i mbrojtjes që këmbëngul se nuk e ka marrë vendimin e zbardhur, prej 12 ditësh dosja ka ngecur në sekretarinë e gjykatës së shkallës së parë anti-korrupsion.
Gjykata nuk mundet ta përcjellë në apel, pa shteruar dhe veprimin e fundit që në rast refuzimi do të nisë numërimi mbrapsht i 5 ditëve të tjera.
Kjo do të thotë se mes insistimeve seri për ta njoftuar dhe refuzimeve të vazhdueshme nga Berisha, mundësitë janë që deri në datën 20 nëntor dosja të qëndrojë e ngrirë pra as në apel dhe as në shkallën e parë.
Lufta e komunikimit shkresor kulmon javën që vjen që është edhe e fundit, përpara datës 20 nëntor, ditë prej të cilës nëse Berisha nuk paraqitet, nuk është më në lojë Gjykata, por durimi i SPAK.












