Nga muaji qershor, blegtorët e fermave të vogla në Lushnjë dhe Fier janë lajmëruar për një rënie tjetër të çmimit të qumështit të lopës dhe të deles, që u grumbullohet nga fabrikat e përpunimit.
Sipas blegtorëve të zonës së Myzeqesë, qumështi i lopës nga fermat e mëdha dhe të mesme po grumbullohet me çmim 65 deri në 67 lekë pa TVSH për litër nga 78 lekë pa TVSH që ishte më parë.
Blegtorët e fermave të vogla pohuan se nga muaji qershor janë lajmëruar nga grumbulluesit se qumështi i lopës do t’u blihet me 55 lekë për litër pa TVSH apo 15% më pak sesa shitet. Rënie e çmimit është lajmëruar edhe për qumështin e deles, nga 120 lekë për litër pa TVSH që shitet aktualisht, çmimi pritet të bjerë në 100 lekë për litër pa TVSH apo 16% më pak.
Rënie e çmimeve të qumështit është lajmëruar edhe nga grumbulluesit e zonës së Korçës. Ulja e çmimit të shitjes detyroi blegtorët të dalin dy herë në protestë, në mbrojtje të prodhimit tyre, duke kërkuar më tepër subvencione nga shteti shqiptar.












