Gjykata e Lartë i ka dhënë një tjetër “goditje” ish-kryeministrit pasi sot në mesditë ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për përjashtimin e trupës së gjyqtarëve: Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
“Rrëzimin e kërkesës të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, me objekt: “Përjashtimin e gjyqtarit Ilir Panda, Sokol Binaj, Sandër Simoni, nga gjykimi i çështjes penale nr. 61007- 00370-00-2024, që i përket rekursit kundër vendimit nr. 85, datë 17.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit”. Ky vendim është i formës së prerë”, njofton gjykata.
Berisha dhe Malltezi kishin kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj tyre, teksa seanca e radhës u caktua në datën 19 korrik. Avokatët e Berishës kanë kërkuar aktet, por sipas SPAK, ata duhet të paguajnë që të njihen me aktet e dosjes. Kjo ka krijuar përplasje, pasi avokatët e Berishës kërkojnë të pajisen me aktet pa pagesë.












