Deputeti Pandeli Majko deklaron se i dhemb për secilin nga shokët dhe shoqet e partisë Socialiste që godet SPAK-u, madje sipas tij, ka pasur raste kur ka ngelur dhe pa tekst, për persona që ka bashkëpunuar.
Majko pretendon se në burg po shkojnë më shumë socialistë, se sa kundërshtarë të tyre, madje përmendi dhe një batutë që i kishin thënë në Kukës se “burgu është për burrat dhe socialistët”.
“Jo vetëm që ka goditur nga radhët e PS-së, por ka bërë vaki dhe që kemi ngelur dhe pa tekst, për miq, shok, që kemi pasur krah për krah. Unë nuk hyj tek ata që të dal dhe të them mbrojtja është personale. Mua më ka dhembur për secilin dhe mendoj se kjo është njëra anë e problemit, por ana tjetër që duhet vlerësuar është që PS pranon sistemin. Batuta që më thanë mua në Kukës është që burgu është për burrat dhe për socialistët, e thënë në kuptimin e parë të fjalës, pra që në burg po shkojnë socialistët, falë një sistemit të ngritur falë votës së mazhorancës sonë. Unë nuk them që jemi engjëj, prandaj po ndodh kjo, ne jemi njerëz që bëjmë gabime dhe secili sipas mënyrës së vetë do japë llogari”, tha Pandeli Majko në Abc News.












