Policia ka dërguar në SPAK emrat e 23 deputetëve të opozitës të cilët u bënë pjesë e kaosit me djegien e karrigeve dhe aktet e dhunës në seancën plenare të 30 shtatorit 2024.
Efektivët këqyrën kamerat dhe administruan provat për aktet e kryera nga deputetët e opozitës. Ndaj Flamur Nokës rëndojnë dy akuza, ajo e ‘shkatërrimit të pronës me zjarr’, si personi që hodhi benzinën dhe dogji karriget e kuvendit, por edhe ‘goditje për shkak të detyrës’, pikërisht për këtë akt ndaj deputetit socialist Petro Koçi.
Për kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhin u ngrit akuza “Goditjet për shkak të detyrës” pasi hodhi në drejtim në kryeparlamentares Spiropali këmbën e karriges, duke rrezikuar jetën e saj.
Për 20 deputetët e tjerë, të cilët në shenjë revolte nxorën karriget nga salla plenare, në oborrin e parlamentit, rëndon akuza e “Shkatërrimit të Pronës”. Në SPAK janë çuar deputetët e grupit parlamentar të PD-së por dhe Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho të Partisë së Lirisë të cilët akuzohen për ‘shkatërrim të pronës’.












