Dy orë pas arrestimit te ‘Kthesa e Kamzës’ në kryeqytet dhe pasi është njohur me masën e sigurisë, ish-Presidenti Ilir Meta ka lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për t’u transferuar në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza”.
Për mediat foli pak pas takimit me Metën, avokati i tij mbrojtës Genci Gjokutaj, i cili sqaroi se vendimi i gjyqtarit të posaçëm Erion Çela përfshin akuza për tre vepra penale.
“Nuk e kam lexuar akoma vendimin e Erion Çelës. Por është për tre vepra penale. Janë tre akuza. Është korrupsion, pastrim i produkteve dhe diçka pasurore. Unë isha në takim me zotin Meta. Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që i është bërë në rrugë, me një sjellje tejet jo ligjore. Kjo histori ndodh me një person që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime me çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështje ka 5 vjet. Momenti është politik, këtu është dyshja Rama-Dumani, dhe me ndihmë e mashave, ish-bashkëpunëtorëve të Ilir Metës që kanë formuar një vendim të cilin sapo e kemi marrë”, tha Gjokutaj.