Kryeministri Edi Rama ka ndarë historinë e një bujku nga Lushnja, gjatë fjalës që po mban në këto momente përpara deputetëve dhe kabinetit qeveritar, në një ngjarje të jashtëzakonshme politike që vjen si reflektim për protestën gati dy mujore të flamingove.
Ai tha se pushteti është shkaku që njerëzit kanë dalë në bulevard, sepse presin më shumë nga qeveria dhe kur realiteti mohues i administratës dhe shërbimeve u përplaset në ftyrë, zemra i çon në shesh.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, e kam thënë në disa komunikime të brendshme me ju, është bekim sepse na dha forcën për transformim, dhe mallkim sepse fitoret e mëdha si ajo e qershorit të shkuar e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërive. Ne jo vetëm nuk kemi të drejtë të ankohemi, por duhet të pranojmë edhe atë që dhemb më shumë, faktet tona shpesh nuk dëgjohen edhe sepse përjetohen si arrogancë. Jo se janë të rreme, as vetëm sepse vijnë pa shpjegim, por sepse edhe kur jepen, jepen pa empati”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama lëshoi akuza të forta ndaj zyrtarëve të shtetit, përfaqësues të Administratës Publike, duke thënë se nuk dinë t’u japin zgjidhje halleve të qytetarëve dhe i lënë pa zgjidhje, duke zgjuar zemërat të jashtëzakonshme.
Për të ilustruar këtë, ai solli historinë e bujkut nga Lushnja që e quajti me emrin Arbër sepse nuk kishte lejen e tij për ta bërë publik.
“Për bujqësinë ne kemi bërë sa nuk është thënë kurrë, por një djalë që akoma nuk e njoh si fytyrë, por e quaj Arbër sepse nuk kam leje ti përmend emrin, e nxori në bulevard përjetimi. Ai është një fermer nga Lushnja dhe sot ka 12 hektarë me kajsi, ka lidhur marrëveshje me një kompani italiane për të investuar në Vlorë. 3 vjet priti përgjigje dhe as PO dhe as JO. Në mesazhin e tij Arbri shkruan: Nuk e di nëse jam sorrë, flamingo apo sorrë, por një katunar që e dua sadopak këtë vend. Unë fola me të, dhe në atë pasqyrën e bulevardit të flamingove kishte plotë si ai. Aty pashë arrogancën e zyrtarëve pa gjak që u flasin sikur të kenë karrige në vend të fytyrës dhe fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Dhe këtu s’po flas fare për ata që kërkojnë edhe leke”, u shpreh Rama.












