Në spitalin infektiv në QSUT ndodhen të shtruar 9 persona të prekur nga disa forma të rëndë si pasojë e etheve të Nilit Perëndimor.
Shefja e këtij spitali, Najada Çomo informon se pacientët janë të moshës mbi 70- vjeç dhe se kjo sëmundje është jetë kërcënuese pasi prek edhe trurin.
“Rastet me encefalit nga virusi i Nilit që janë të konfirmuara janë raste kryesisht tek moshat e treta. Kategoria e tyre që kanë humbur jetën janë kryesisht persona që kanë pasur sëmundje kronike. Kemi pasur dhe raste ku shumë të tjerë janë duke e kaluar ose në mënyrë të moderuar ose të rëndë”, tha Çomo.
Gjatë korrikut në Infektiv janë shtuar rastet me meningit dhe encefalit si pasojë e virusit të etheve të Nilit perëndimor. Çomo thekson se simptomat më të shpeshta nga ethet e Nilit janë temperatura e lartë dhe dominuese, dhimbje të muskujve, dhimbje të forta koke dhe skuqje në lëkurë.