Ditën e shtunë do të vijojmë të kemi paqëndrueshmëri me mot të vranët dhe reshje shiu, ndërsa në veri e pjesërisht në qendër nuk do të mungojnë shtrëngata të herëpashershme afatshkurtra.
Duke filluar që nga mbrëmja e së shtunës do të kemi ndryshim të kushteve të motit, pasi në vendin tonë do të depërtojnë masat e ftohta polare duke sjellë ulje me 6-7 gradë Celcius të temperaturave.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, një ndryshim komplet i situatës parashikohet ditën e diel, ku reshjet e shiut do të jenë prezente prej orëve të para të 24 orëshit në të gjithë vendin me intensitet mesatar gjatë gjithë ditës. Kurse në veri dhe në jugperëndim parashikohen reshje me intensitet deri të lartë në formën e stuhive.
Reshjet e dëborës do të rikthehen, në Alpe dhe relievet malore veri-verilindje-juglindje të vendit në lartësitë mbi 600-700metër me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.












