GJKKO ka publikuar arsyetimin e vendimit të 13 gushtit, për të lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta.
Sipas gjykatës, nuk ekzistojnë rrethana të reja që të justifikojnë zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë.
Në vendim theksohet se pozita procedurale e Metës është rënduar, pasi ai tashmë ka marrë cilësinë e të pandehurit dhe i janë komunikuar zyrtarisht akuzat për korrupsion pasiv në tre raste (dy prej tyre në bashkëpunim), pastrim parash në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, si dhe mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.
GJKKO vlerëson se masa e sigurisë mbetet proporcionale me rëndësinë e fakteve dhe dënimin e mundshëm, duke theksuar se ekziston ende rreziku i “helmimit të provave” përmes ndikimit tek dëshmitarët apo personat që kanë dijeni mbi faktet e hetimit. Sipas gjykatës, funksionet aktuale dhe ato të mëparshme të Metës i japin atij mundësi të ushtrojë ndikim të paligjshëm në procesin gjyqësor.
Gjykata argumenton se përfundimi i hetimeve paraprake nuk e eliminon rrezikun për provat, sidomos ato “të gjalla” si dëshmitarët, të cilët do të pyeten gjatë gjykimit. Për këtë arsye, kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u refuzua.












