Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar edhe “betejën” e dytë me qeverinë.
“Euronews Albania” mëson se Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke “çertifikuar” me formë të prerë si të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.
Me anë të një përgjigje zyrtare, pas një kërkese për informim, administrativja e Apelit bën me dije se vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator), dhe Gentian Hamiti e Sokol Ibi (anëtarë).
Në bazë të vendimit tashmë shteti duhet t’i paguajë Gledis Nanos 60 paga mujore për 5 vite, rreth 100 mijë euro, sa mandati i parashikuar në ligj, i cili u ndërpre nga shkarkimi i qeverisë në 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte realizuar objektivat.
Shkarkimi erdhi me propozim të ish-Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ndërsa kryeministri Rama ka pohuar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen ish-kryepolicit Nano. Vendimi është marrë më 26 qershor dhe nuk dihet nëse qeveria do të depozitojë rekurs në gjykatën e lartë brenda afatit 30 ditor.












