Juristi Indrit Sefa ka deklaruar se Erion Veliaj gaboi që nuk hoqi dorë si kryebashkiak i Tiranës.
Gjatë intervistës në “A2 CNN”, juristi tha se Veliaj do të ishte në një pozitë më të favorshme penale sot nëse do të jepte dorëheqjen ditën kur u arresua.
“Unë mendoj që zoti Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen që në 10 shkurt. Është gabim i madh strategjik i tij dhe gabim nga ana politike. Betejën me drejtësinë duhet ta përballonte vetë. Kishte aq mundësi sa ta përballonte vetë, pa mbështetjen e stafit të Bashkisë. Do të ishte edhe në një pozitë më të favorshme penale sot”, tha Sefa.
Më tej, juristi shton: “Fakti që është kryetar bashkie e ka dëmtuar atë në procesin penal. Nëse do e jepte dorëheqjen, mund të ishte vetëm në arrest shtëpie sot. Fakti që ai zgjodhi të mbrohej me Bashkinë e Tiranës dhe Partinë Socialiste, tregoi qenien e tij jo si njeri që është në shërbim të qytetarëve”.
Sipas Sefës, Veliaj duke dashur të mbrohet, i ka bërë dëm më të madh Partisë Socialiste.












