Në prezantimin e Programit Kombëtar të Mësuesve, kryeministri Edi Rama është shprehur se në kohën e sotme, ka filluar një luftë pa armë, por shumë e egër për kapitalin njerëzor.
Rama tha se Shqipëria duhet të mbrojë kapitalin e saj njerëzor, përndryshe do të gjendet para një situate të pamundur teksa ka thënë se për këtë problem duhet gjetur zgjidhje në të gjitha fushat, jo vetëm në arsim.
“Nga ana tjetër është një kohë në të cilën ka filluar një luftë pa armë, por shumë e egër për kapitalin njerëzor. Edhe vendet më të zhvilluara, të cilat sot po përballen me fenomenin e plakjes dhe që janë në kryer të trenit të Evropës do të investohen çdo vit e më shumë për të marrë kapital njerëzor nga të tjerët pa asnjë mëshirë. Fuqia tërheqëse e tyre për kapitalin tonë njerëz mbetet shumë sfiduese për të gjithë ne. Oferta e tyre më e fortë se oferta jonë. Ne nuk mund të mos reagojmë në një mënyrë jo tradicionale për të mbrojtur sa të mundemi kapitalin tonë njerëzor dhe për të fuqizuar sa të mundemi cilësinë e kapitalit tonë njerëzor. Përndryshe mund të gjendemi para një situate të pamundur. Shqipëria sot është në një tjetër nivel dhe reflektim i këtij fakti janë edhe rritjet domethënëse të pagave, të cilat do të vazhdojnë”, tha Rama.