Kjo fundjavë pritet të jetë përvëluese në Shqipëri, me temperatura që do të arrijnë mbi vlerat normale.
Meteorologu Hakil Osmani bën me dije se e shtuna dhe e diela do të regjistrojnë temperatura surprizë deri në 37 gradë Celcius, 7 gradë mbi vlerat normale sa duhet të jenë në muajin qershor.
“Fundjava parashikohet mot të qëndrueshëm me diell në të gjithë territorin shqiptar. Do të kemi një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit, duke bërë që minimumet në qytet e zonës malore të jenë 16 gradë Celsius, ndërsa sa i përket ultësirës perëndimore temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit do të luhaten nga 18 gradë deri në shumë pranë vlerave 23 gradë Celsius, këto në vijën bregdetare. Sa i përket orëve të pasdites gjatë fundjavës kemi një rënie të lehtë të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet në rang territori të jenë deri në 36 apo 37 gradë Celsius. Edhe pse kemi këtë rënie të lehtë të temperaturave të ajrit, duhet të theksojmë që janë temperatura, të cilat regjistrohen të paktën mbi 7 gradë mbi vlerat normale sa duhet të regjistrohen në muajin qershor,” tha Hakil Osmani.












