Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka caktuar 21 gushtin si datën kur do të vendosë “fatin” e zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Himarës, të fituara nga kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo.
Gati dy javë nga procesi, KAS do të shqyrtojë ankimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për pavlefshmërinë e rezultatit të 4 gushtit. Trupa e 5 anëtarëve, do të mblidhet për të verifikuar pretendimet e opozitës për parregullsi të zgjedhjeve dhe do të vendosin nëse do të lihet në fuqi fitorja e Vangjel Tavos.
Kandidati i PS, Vangjel Tavo u vu në krye të Bashkisë së Himarës me 1477 vota më shumë se kandidati opozitar Petro Gjikuria. Nëse KAS, vendos rrëzimin e kërkesës së “Bashkë Fitojmë” mbetet shqyrtimi nga Kolegji Zgjedhor si hallka e fundit ligjore që do t’i japë fund debatit për zgjedhjet e Himarës.












