Sesioni i ri parlamentar në shtator do të nisë me diskutimet për Kodin e ri Penal, i prezantuar së fundmi nga Ministria e Drejtësisë.
Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se shumë nene parashikojnë dënime penale edhe për shkelje që më parë trajtoheshin administrativisht, duke sjellë një përqendrim të tepruar tek masa “burg”.
Mes shumë neneve të propozuara, përfshihen ndryshime për kontrollin teknik të mjeteve. Në nenin e draftit të Kodit të Ri Penal thuhet se moskryerja e kontrollit teknik të mjeteve do të konsiderohet kundërvajtje penale që dënohet me gjobë deri në dy vite burg.
“Moskryerja e procedurave të kontrollit teknik të mjeteve motorike, apo kryerja e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, nga personi i cili ka për detyrë ta kryejë atë, kur kanë krijuar apo përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë e njerëzve gjatë qarkullimit rrugor ose, kur kanë sjellë ndotjen tej normave të lejuara të ajrit, ujërave apo tokës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”-thuhet në nen.
Qytetarëve u mbetet të jenë më të kujdesshëm se kurrë me kolaudimin, sepse me rregullat e reja, një pakujdesi e zakonshme mund të kthehet në çështje penale.












