Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka reaguar pas kolapsit kibernetik që ka përfshirë kompaninë “Microsoft”, duke bërë që bankat e mëdha, mediat, linjat ajrore dhe hekurodhore në të gjithë botën të pësojnë ndërprerje të mëdha të shërbimit të IT-së.
Aeroporti i Tiranës thotë se nuk është prekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike, por ka vonesa të mbërritjeve të avionëve në Rinas për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera, duke bërë kështu që të ketë ndryshime të orareve të fluturimeve.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) konfirmon se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale dhe të paprekura nga kriza e fundit e sistemeve kompjuterike në mbarë botën. Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA. Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës”, thuhet në njoftim.












