Qyteti i Korçës dhe e gjithë zona rreth e rrotull jug-lindjes së vendit është “zgjuar” e mbuluar nga dëbora. Reshjet kanë nisur që prej orës 7:30 të mëngjesit të sotëm ndërsa temperatura mesatare shkon deri në – 3 gradë.
Kontraktorët janë në gatishmëri për mirëmbajtje dimërore. Në aksin Korçë-Pogradec në afërsi të Qafë-Plloçës po kriposet pasi dhe ky aks është përfshirë nga reshjet e dëborës.
Deri tani, paraprakisht mësohet se rrugët janë të kalueshme dhe nuk paraqitet asnjë problematikë. Shoferët që vizitojnë jug-lindjen këshillohen të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë për cdo të papritur të motit. Korça është një ndër qytetet e rralla qe ofron turizëm në çdo stinë të vitit dhe kohët e fundit ka pasur dyndje vizitorësh pasi çdo fundjavë është bukur ta kalosh në “qytetin e serenatave”.












