Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në Euronews Albania komentoi nga pikëpamja juridike dhënien e masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” për Sali Berishën i cili është nën hetim për akuzën e “Shpërdorimit të Detyrës”.
Sipas Spahiut, SPAK e pati “dorën e lirë” të arrestonte Malltezin pasi ai nuk gëzon imunitet, nëse Berisha gëzon imunitetin e deputetit dhe nuk arrestohej dot pasi fillimisht do të duhej miratim nga Kuvendi.
“Kemi tre subjekte të vënë nën hetim por me masa të ndryshme shtrënguese. Kemi dy masa ekstreme të “Arrestit me burg”, për sipërmarrësin Bektashi, për dhëndrin e ish-kryeministrit Malltezi, ndërsa për Sali Berishën kemi një masë më të lehtë. “Detyrim paraqitje” është masa më e lehtë për dikë që është i përfshirë në një çështje penale. Akuzat e bëra publike janë “Pastrimi i parave” për Jamarbër Malltezin, ndërkohë që për Berishën rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimit të parave”. Malltezi nuk ka pasur imunitet dhe ndaj prokuroria e ka parë dorën e lirë. Në rast se SPAK do të kërkonte arrestimin e Berishës, atëherë SPAK do të duhet të merrte miratimin e Parlamentit”, tha Spahiu.












