Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga NATO që të rivendosë kontrollin në Veriun e Kosovës, pasi në të kundërt sipas tij do të përballet me dhunën e vazhdueshme mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë në Rajon.
Në një intervistë për “The Financial Times”, Edi Rama e konsideron Kosovën një pikë të nxehtë ku nga momenti në moment mund të “plasë” konflikti i armatosur mes dy palëve.
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, shprehet Rama.
NATO tha se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe tashmë kanë premtuar dislokimin e qindra ushtarëve në krye të forcës ekzistuese prej 4 500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll.












