Partia Demokratike ka nisur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Tiranës. Deri më 30 nëntor, datë e përcaktuar nga Sali Berisha, pritet të mblidhen propozimet e strukturave të partisë për emrat që do të garojnë për drejtimin e kryeqytetit.
Sipas raportimeve të Top Channel, në mesin e emrave të propozuar nga degët e Partisë Demokratike janë Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Ethem Aga. Edhe pse Jorida Tabaku e ka shprehur më herët se nuk ka ambicie për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, por emri i saj është propozuar nga disa degë të partisë.
Po ashtu edhe një tjetër që figuron në listën e propozimeve është ai i Ilir Alimehmetit, i cili raportohet se gëzon mbështetjen e strukturave të partisë, si dhe të Sali Berisha, për të qenë kandidati zyrtar i demokratëve në garën për kryeqytetin.
Ndërkohë, në listën e propozimeve të degëve të Tiranës është edhe Belind Këlliçi, të cilin një pjesë e demokratëve e shohin si një kandidat të mundshëm për t’u rikthyer në garën vendore. Emrat e tjerë të propozuar janë Klevis Balliu dhe Ethem Aga.












