17-vjeçarja Noela Caka nga Durrësi humbi jetën tragjikisht pasi u prek nga meningiti akut.
Ky bakter i rrallë ka alarmuar mjekët të cilët kanë nisur menjëherë masat parandaluese për personelin mjekësor të Spitalit të Durrësit dhe familjarët e saj.
Ndërkohë, pritet përfundimi i analizave laboratorike në ISHP për të përcaktuar nëntipin e saktë të shtamit, gjë që do të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut dhe ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje infektive. Mjekët e spitalit të Durrësit, kanë deklaruar se kjo formë e meningitit nuk ishte shfaqur prej kohësh, ndërsa atoritetet shëndetësore po hetojnë për të kuptuar burimin dhe për të parandaluar raste të tjera.
17-vjeçarja ishte nxënëse në shkollën “Leonik Tomeo” në Durrës. Gjimnazistja u paraqit të shtunën në Urgjencën e Spitalit të Durrësit me simptoma të ndryshme, si dhimbje koke dhe të vjella. Me gjithë përpjekjet për trajtim dhe transferimin e saj në QSUT, vajza nuk arriti të mbijetojë.












