Kreu i SPAK, Altin Dumani ka treguar se si përgjatë 5 viteve Prokuroria e Posaçme nisi punën me shumë vështirësi për të mbërritur në ditët e sotme me “drejtësinë e re” dhe të pavarur.
Dumani gjithashtu paralajmëroi se SPAK do të “godasë” të gjithë politikanët e korruptuar “majtas” dhe “djathtas”.
“Në dhjetor SPAK bën 5 vjet. Për publikun dhe për ju si media, ndoshta 5 vjet duken shumë, por realisht për një institucion janë shumë pak për të marrë formën që duhet, duke marrë në konsideratë edhe vështirësitë që kemi kaluar si institucion. Sa i takon korrupsionit, besoj se SPAK ka demonstruar këto vite se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti pavarësisht pozitës së tij, profilit tij, sado i lartë të jetë, ne po e bëjmë me prova dita-ditës. Ju e dini se SPAK ka ushtruar ndjekjen penale për funksionarë shumë të lartë, të nivelit të mesëm, të nivelit të ulët, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, për kryetarë bashkish, ish-kryetarë bashkish, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, funksionarë shumë të lartë policie”, tha Dumani.












