Një lajm i trishtë ka ardhur pasditen e kësaj të enjte. Artisti Leon Çika është ndarë nga jeta papritur duke lënë “zemërthyer” të gjithë ata që patën fatin ta takojnë në këtë jetë.
Leon Çika, lindi në Berat në vitin 1954 dhe u diplomua në vitin 1976 në Akademinë e Arteve në Tiranë, si piktor i arteve grafike.
Në vitet ’80 ai punoi në afresket dhe gravurat e muzeut historik “Gjergj Kastrioti” në Krujë, ndërsa më pas ka qenë drejtor i departamentit të fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Pas viteve ’90 ka punuar si pedagog i fotografisë në Akademinë e Arteve, si reporter dhe si producent i disa televizioneve dhe agjencive të lajmeve.












